Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se rebelët Huthi në Jemen kanë rënë dakord të mos sulmojnë Shtetet e Bashkuara, pavarësisht sulmeve të fundit të grupit ndaj Arabisë Saudite.
Trump tha se Uashingtoni është në komunikim të vazhdueshëm me Huthët dhe se ata kanë rënë dakord të mos luftojnë kundër forcave amerikane.
“Huthët na telefonuan dhe nuk duan të luftojnë me ne. Ata nuk duan që ne t’i sulmojmë”, kishte deklaruar Trump edhe më 12 shtator gjatë një vizite në Irlandë, raportoi Fox News.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në kohën kur Arabia Saudite po përballet me sulme të vazhdueshme nga Huthët. Të shtunën, një raketë u raportua se kishte në shënjestër kryeqytetin saudit, Riadin.
Ndërkohë, duke folur për konfliktin me Iranin, Trump tha se Uashingtoni ka hyrë në një fazë vendimtare të vendimmarrjes dhe paralajmëroi pasoja nëse Teherani nuk ndryshon qëndrimin e tij.
“Pyetja ime është: nëse dhe kur ta shkatërroj plotësisht atë komb? Më mirë të sillen mirë”, tha Trump për Fox News.
Ai përmendi disa mundësi për qasjen ndaj Iranit, përfshirë shkatërrimin e vendit, presionin ekonomik ose arritjen e një marrëveshjeje.
Trump gjithashtu la të hapur mundësinë e një takimi me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, gjatë javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Deri tani, Teherani dhe Pezeshkiani nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Trumpit për një takim të mundshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


