Gjykata Themelore në Prishtinë ka publikuar një ftesë për 21 të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, mes të cilëve ish-drejtues të lartë të policisë dhe ushtrisë serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Në dokumentin e Departamentit Special, të datës 20 korrik 2026, figurojnë ndër të tjera emrat e Obrad Stevanoviqit, Radomir Markoviqit, Krsman Jeliqit dhe Goran Radosavljeviqit, i njohur me nofkën “Guri”.
Sipas ftesës, çështja bazohet në aktakuzën për gjykim në mungesë të Prokurorisë Speciale, të datës 30 dhjetor 2025. Të akuzuarve u vihet në barrë kryerja në bashkëkryerje e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
Gjykata u ka bërë thirrje të dorëzohen dhe të paraqiten para saj, në mënyrë që procedura të zhvillohet në praninë e tyre. Personave që kanë informacione për vendndodhjen e të akuzuarve u kërkohet t’ia përcjellin ato Policisë së Kosovës.
Ftesa i referohet seancës fillestare të caktuar për 31 korrik 2026, në orën 10:00. Dokumenti është nënshkruar nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


