Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar publikisht lidhur me hetimet e autoriteteve zvicerane për një certifikatë të dyshuar të rreme të vaksinimit kundër COVID-19.
Prokuroria e Luzernit ka hapur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, për të sqaruar nëse është kryer ndonjë vepër penale në lidhje me marrjen ose falsifikimin e një certifikate vaksinimi. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa për Xhakën dhe mjeken vlen prezumimi i pafajësisë.
Në reagimin e tij, Xhaka ka pranuar se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe frikë të mëdha ndaj vaksinës kundër COVID-19.
Ai ka thënë se, në vend që shqetësimet e tij t’i sqaronte përmes rrugëve zyrtare, kishte siguruar një vërtetim vaksinimi.
“Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht.
Në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, në atë kohë isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria.
Në këtë gjendje emocionale të trazuar, bleva një vërtetim vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet dhe shqetësimet e mia përmes rrugës së paraparë”, ka deklaruar Xhaka.
Ai ka pranuar se veprimi ishte i gabuar dhe ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet.
“Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq.
Marr përgjegjësinë për këtë vendim, jam i gatshëm të përballem me sqarimin e plotë të çështjes dhe do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kompetente”, ka thënë Xhaka.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


