Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në qendër të vëmendjes idenë e marrjes nën kontroll të Groenlandës, duke sugjeruar se territori mund të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një interviste për Real America’s Voice, Trump u pyet nëse vazhdon të jetë i interesuar për Groenlandën.
“A po e shikoni ende Groenlandën? Kam parashikuar se para se të largoheni nga detyra, ajo do të jetë nën kontrollin operativ të Shteteve të Bashkuara”, e pyeti moderatori Steve Gruber.
“Po, mendoj se keni të drejtë. Groenlanda është shumë e rëndësishme nga këndvështrimi ynë. Duhet ta bëjmë këtë hap”, u përgjigj Trump.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, presidenti amerikan shkroi se “Groenlanda mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së”.
Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës, duke argumentuar se ai ka rëndësi të madhe strategjike për sigurinë kombëtare amerikane.
Edhe pse më herët kishte deklaruar se nuk përjashtonte përdorimin e forcës për të marrë nën kontroll territorin, ai më pas sqaroi se nuk kishte ndërmend të përdorte forcën ushtarake.
Presidenti amerikan e riktheu këtë çështje edhe gjatë samitit të NATO-s muajin e kaluar, kur deklaroi se Groenlanda “duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, jo të Danimarkës”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


