Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se Shtetet e Bashkuara nuk po planifikojnë sulme të menjëhershme ndaj Iranit, duke paralajmëruar në vend të kësaj një rund të ri bisedimesh për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.
Mesazhi i publikuar nga Trump në platformën “Truth Social” gjatë natës i bëri të qartë Izraelit se Uashingtoni po i jep përparësi rrugës diplomatike në raport me Teheranin.
Sipas CNN-it, përpjekjet diplomatike të administratës amerikane nuk janë përqendruar vetëm te Irani. Trump ka intensifikuar edhe angazhimin për arritjen e një armëpushimi në Gaza, çka përfshin ushtrimin e presionit ndaj Izraelit për t’i ndalur sulmet.
Megjithatë, sulmet izraelite në enklavën palestineze kanë vazhduar. Gjatë natës, tre anëtarë të një familjeje u vranë në një sulm pranë Qytetit të Gazës, sipas drejtorit të një spitali palestinez.
Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të angazhohet për çarmatim, por vetëm nëse Izraeli ndalon zjarrin dhe plotësohen edhe disa kushte të tjera.
“Orët në vijim do të jenë një provë e seriozitetit, jo e qëllimeve”, deklaroi për CNN një zyrtar i lartë i Hamasit.
Sipas tij, Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë lëvizje të rëndësishme për ta çuar përpara marrëveshjen e armëpushimit të arritur pothuajse dhjetë muaj më parë.
Ish-zyrtari palestinez Mohammed Dahlan deklaroi se Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, po punon me palën izraelite për ndaljen e sulmeve në Gaza.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Energjisë, Eli Cohen, tha se nuk ekziston ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e sulmeve dhe se Izraeli duhet ta marrë nën kontroll të plotë Rripin e Gazës, nga i cili aktualisht kontrollon rreth 70 për qind.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


