Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë si “të pavërtetë” dhe “një trillim të plotë” një raport të transmetuar nga media shtetërore iraniane mbi një draft-memorandum mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit.
Zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë deklaruan se dokumenti i publikuar nga media iraniane nuk është i vërtetë dhe se “askush nuk duhet t’i besojë” këtyre raportimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për dezinformim.
Sipas pretendimeve të mediave iraniane, drafti do të parashikonte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat pranë Iranit dhe heqjen e bllokadave detare, në këmbim të garantimit të qarkullimit të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarë amerikanë thonë se negociatat janë ende në zhvillim dhe se çdo marrëveshje do të bazohet në vijat e kuqe të vendosura nga Presidenti Donald Trump, përfshirë parandalimin e çdo programi bërthamor iranian.
Sipas raportimeve të cituara nga Reuters, drafti i përmendur nga media iraniane parashikon edhe një mekanizëm të përbashkët menaxhimi të lundrimit në ngushticë mes Iranit dhe Omanit, por këto pretendime nuk janë konfirmuar nga Uashingtoni.
Shtëpia e Bardhë theksoi se qëndrimi zyrtar i SHBA mbetet i pandryshuar dhe se çdo marrëveshje e mundshme do të duhet të kalojë përmes procesit diplomatik dhe miratimeve ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


