Tre persona janë arrestuar të martën në Prizren, në kuadër të një operacioni policor kundër fajdesë.
Lajmin e ka konfirmuar për Klankosova.tv kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Ndërkaq, sipas një njoftimi të sotëm të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Gjatë operacionit, pamjet e të cilit i ka publikuar policia gjatë ditës së sotme: janë arrestuar tre të dyshuar, B. S., F. S. dhe A. D., të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në veprën penale “fajde”.
Sipas policisë, njëri prej të dyshuarve, B. S., përveç fajdesë dyshohet edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”.
Policia njofton se gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, i dyshuari ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke i lënduar ata.
Të dyshuarit lidhur me këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale viktimës.Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në 3 lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, me ç‘rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale.Ndaj tre personave të dyshuar, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë’ thotë policia, transmeton Klankosova.tv.


