Wednesday, August 19, 2026
spot_img
HomeLajmeArrestohet kosovari në Kroaci, kishte fletarrest nga Serbia

Arrestohet kosovari në Kroaci, kishte fletarrest nga Serbia

Një 49-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Kroaci, pasi autoritetet kufitare kanë konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpoli në Beograd, me kërkesë të Serbisë.

Bëhet fjalë për B.B., nga Nerodimja e Poshtme, i cili është ndaluar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovići, teksa po hynte në Kroaci me një automjet të tipit Audi A6, me targa gjermane.

Sipas raportimeve të mediave kroate, gjatë kontrollit të dokumenteve të udhëtimit, autoritetet kanë verifikuar të dhënat e 49-vjeçarit në bazën e të dhënave të Interpolit dhe kanë konstatuar se ai kërkohej për arrestim dhe ekstradim, shkruajnë mediat kroate transmeton Klankosova.tv.

Fletarrestimi ndërkombëtar ndaj tij ishte lëshuar më 29 prill 2024, me kërkesë të Interpolit në Beograd. Serbia e dyshon B.B.-në për kryerjen e krimeve të luftës ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90.

Pas arrestimit, kosovari është informuar për të drejtat e tij ligjore dhe është dërguar para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit, në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim.

Megjithatë, ekstradimi i tij drejt Serbisë nuk është vendosur ende.

Autoritetet serbe kanë një afat prej 40 ditësh për t’ia dorëzuar Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik dokumentacionin e plotë dhe provat mbi të cilat bazojnë kërkesën për arrestim dhe ekstradim.

Sipas burimeve pranë hetimit gjyqësor, të cituara nga mediat kroate, B.B. i ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga Serbia.

“B.B. ka dhënë një version krejtësisht të kundërt të ngjarjeve dhe ka mohuar përgjegjësinë për veprën për të cilën akuzohet nga autoritetet serbe”, raportojnë mediat kroate, duke iu referuar burimeve të afërta me rastin, transmeton Klankosova.tv.

Tashmë, Gjykata e Qarkut në Dubrovnik pritet të shqyrtojë dokumentacionin që do të dërgohet nga autoritetet serbe, përpara se të marrë një vendim lidhur me kërkesën për ekstradim.

Rasti është i ndjeshëm për shkak të natyrës së akuzave dhe faktit se kërkesa për arrestim është bërë nga autoritetet serbe për një shtetas të Kosovës, në lidhje me ngjarjet e luftës së viteve 1998–1999.

Lufta në Kosovë u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë civile. Pjesa dërrmuese e krimeve të dokumentuara iu atribuohet forcave serbe, përfshirë policinë dhe Ushtrinë Jugosllave, ndërsa janë dokumentuar edhe raste të krimeve të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

B.B. vazhdon të gëzojë prezumimin e pafajësisë dhe një vendim përfundimtar për ekstradimin e tij do të merret nga autoritetet gjyqësore kroate, pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga Serbia.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT