Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) ka bërë të ditur detaje lidhur me operacionin e kërkimit që përfundoi me gjetjen e trupit të pajetë të 55-vjeçares në lumin Lumbardh të Deçanit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 12.05.2026 është pranuar një thirrje urgjente për një rast aksidenti, ku dyshohej se viktima kishte rënë në ujërat e rrëmbyeshëm pranë një dige në zonë.
Menjëherë pas alarmit, në operacion janë angazhuar ekipet e ShKShMK-së nga disa qytete të vendit, së bashku me Njësinë e Zjarrfikësve të Deçanit dhe Policinë e Kosovës, duke nisur kërkimet përgjatë rrjedhës së lumit në kushte të vështira dhe me rrezik të lartë.
Sipas ShKShMK-së, për shkak të terrenit të rrezikshëm dhe rrjedhës së fuqishme të ujit, kërkimet janë zhvilluar me metoda të specializuara, përfshirë ndërtimin e një ure me litar dhe përdorimin e teknikave alternative të shpëtimit.
Operacioni ka vazhduar për disa ditë, ndërsa më 14.05.2026 trupi i viktimës është gjetur nga kalimtarë të rastit rreth 7.5 kilometra larg digës, përgjatë rrjedhës së lumit.
Në operacionin e tërheqjes së trupit kanë marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe ekipet e zjarrfikësve, në një aksion të koordinuar në kushte të vështira.
ShKShMK ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimës dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit.


