KF Arbëria ka reaguar pas një incidenti që dyshohet se ndodhi në përfundim të ndeshjes kundër KF Rilindjes, duke pretenduar se pjesëtarë të stafit dhe futbollistë të saj u sulmuan fizikisht.
Sipas komunikatës së klubit, në incident dyshohet se u përfshinë disa zyrtarë të klubit kundërshtar dhe tifozë.
“Ajo që ndodhi sot është e turpshme dhe e papranueshme për futbollin e Kosovës. Futbolli duhet të jetë garë, respekt dhe sportivitet, e jo vend ku dhuna dhe sulmet fizike zënë vend”, thuhet në reagim.
Arbëria pretendon se disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit pësuan lëndime dhe morën trajtim nga ekipet e Ndihmës së Shpejtë. Sipas klubit, gjendja e tyre është stabile.
Klubi u ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Policisë që ta hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa ndaj personave përgjegjës.
Tash ka ardhur kundërpërgjigjja e KF Rilindjes, e cila i ka cilësuar pretendimet e Arbërisë si “të rënda dhe të pavërteta”.
“Pas përfundimit të saj, në vend të respektit për rezultatin sportiv, pati konfrontime të trajnerit kryesor të KF Arbëria dhe trajnerit të portierëve me gjyqtarët e ndeshjes”, thuhet në komunikatën e Rilindjes.
Deri tani nuk është bërë publik ndonjë reagim nga FFK-ja apo Policia lidhur me pretendimet e Arbërisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


