Të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa 41 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një traget u përfshi nga zjarri në det, të dielën, në Indonezi.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit të Indonezisë (Basarnas), në traget ndodheshin qindra pasagjerë. Një pjesë e tyre u hodhën në det për t’i shpëtuar flakëve dhe më pas u shpëtuan nga një anije që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Autoritetet njoftuan se gjithsej 225 persona janë shpëtuar, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon për gjetjen e të zhdukurve.
Sipas Agjencisë Rajonale të Kërkim-Shpëtimit në Surabaya, katër anije të tjera ndodheshin në gatishmëri pranë tragetit, por nuk mundën t’i afroheshin për shkak të rrezikut që paraqisnin materialet e ndezshme në bord.
Trageti ishte nisur nga qyteti Surabaya në provincën Java Lindore drejt Makassarit në Sulawesin Jugor. Kompania e tragetit kishte marrë një telefonatë nga kapiteni, i cili raportoi shpërthimin e zjarrit, por më pas humbi kontaktin me autoritetet.
Një operacion më i madh kërkim-shpëtimi është nisur nga Surabaya drejt zonës së aksidentit, ndërsa autoritetet thanë se evakuimi i pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.
“Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti ynë. Po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet përkatëse që evakuimi të zhvillohet sa më shpejt, në mënyrë të sigurt dhe efektive”, deklaroi një zyrtar i lartë i Ministrisë së Transportit të Indonezisë.
Indonezia, një shtet me mbi 17 mijë ishuj, përballet shpesh me aksidente detare, të cilat lidhen me mosrespektimin e standardeve të sigurisë dhe kushtet e paparashikueshme të motit. Vetëm muajin e kaluar, katër persona humbën jetën dhe 14 të tjerë mbetën të zhdukur pasi një traget me më shumë se 70 persona u fundos pranë ishullit Selayar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


