Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 16–30 prill 2026, në Kosovë janë konfirmuar tetë raste të fruthit, ndërsa dy raste të tjera janë të dyshimta.
Sipas IKSHPK-së, të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës), të cilët po ashtu janë duke marrë trajtim spitalor, çka dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve që mund të shkaktojë kjo sëmundje.
IKSHPK ka bërë thirrje urgjente për prindërit që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit dhe të vaksinojnë fëmijët e tyre në qendrat e mjekësisë familjare.
“Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.”, thuhet tutje në njoftim.
Po ashtu, është rekomanduar shmangia e kontakteve me persona që shfaqin simptoma të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë, si dhe paraqitja e menjëhershme në institucionet shëndetësore në rast të shenjave të dyshimta.
IKSHPK ka bërë të ditur se është duke e monitoruar situatën epidemiologjike dhe ka ndërmarrë masa konkrete në terren.
“Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore. IKSHPK dhe institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.”
Në fund, IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Tetë raste të fruthit në Kosovë, IKSHPK: Të gjithë të infektuarit të pavaksinuar appeared first on Sinjali.


