Pesë emigrantë kanë humbur jetën tragjikisht të premten, pasi janë mbytur në lumin Kupa, në kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, teksa po përpiqeshin të kalonin lumin.
Pesë persona të tjerë janë shpëtuar nga policia dhe banorët lokalë.
Autoritetet janë njoftuar pasi një grup njerëzish, të dyshuar si emigrantë, është parë në lumin Kupa, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Zagrebit.
Policia kroate ka bërë të ditur se pesë shtetas të huaj janë shpëtuar, ndërsa pesë të tjerë janë mbytur. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për kombësitë e viktimave.
“Grupi përbëhej nga pothuajse njëzet persona, 14 prej të cilëve arritën të kalonin lumin dhe ndodhen në territorin slloven”, ka shpjeguar policia kroate në një njoftim për shtyp.
Kroacia është pjesë e një prej rrugëve të përdorura nga emigrantët e parregullt që synojnë të arrijnë në Evropën Perëndimore përmes Ballkanit.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), më shumë se 12,500 persona përdorën “rrugën ballkanike” në vitin 2025, shifër kjo 42% më e ulët krahasuar me vitin 2024.
Ndërkaq, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), që është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, që nga viti 2014 më shumë se 400 persona kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë udhëtimit përgjatë kësaj rruge.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


