Një rast i përdorimit të armës është regjistruar pasditen e 25 shtatorit në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku pas raportimit për të shtëna janë sekuestruar dy armë gjahu dhe municion.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se njësitë përkatëse kanë dalë menjëherë në lokacion, ku te Kujtim Bytyqi, 24-vjeçar, është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë gjahu e modelit Ferrochi SA 112, së bashku me 11 fishekë të tipit G12.
Te personi tjetër, Ermal Hoxha, 21-vjeçar, është gjetur dhe sekuestruar po ashtu një armë e gjatë gjahu e modelit VB ARMS, si dhe 9 fishekë G12.
Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë G12, e cila dyshohet se ishte përdorur nga Bytyqi.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të dy kanë prezantuar leje valide për armët.
Ata kanë deklaruar se kishin dalë për shëtitje dhe se, pasi ishin afruar pranë lumit, kishin parë një shotë në ujë.
Burimet bëjnë me dije se Kujtim Bytyqi ka pranuar se kishte shtënë një herë në drejtim të shotës.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa ndaj Ermal Hoxhës është iniciuar rasti për posedim të paautorizuar të armës.
Të dy janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa armët dhe municioni janë sekuestruar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


