Temperaturat e larta mund t’i bëjnë ditët e ciklit menstrual më të vështira, duke shtuar lodhjen, fryrjen, ngërçet, dhimbjet e kokës dhe ndjenjën e rëndesës.
Gjatë vapës, organizmi përpiqet ta mbajë temperaturën e brendshme përmes djersitjes dhe zgjerimit të enëve të gjakut. Humbja e lëngjeve dhe elektroliteve mund të ndikojë në qarkullimin e gjakut, nivelin e energjisë dhe mirëqenien e përgjithshme.
Dehidrimi mund t’i favorizojë ngërçet muskulore dhe dhimbjet e kokës, ndërsa trupi mund të mbajë më shumë lëngje, duke e shtuar fryrjen. Lodhja gjithashtu mund të bëhet më e theksuar, pasi organizmi shpenzon më shumë energji për t’u ftohur.
Për lehtësimin e simptomave këshillohet konsumimi i rregullt i ujit dhe, në rast të djersitjes së shtuar, plotësimi i elektroliteve. Ushqimet e pasura me ujë, hekur dhe magnez mund të jenë të dobishme, ndërsa ushqimet shumë të kripura, të yndyrshme dhe të rënda mund ta shtojnë parehatinë.
Aktiviteti fizik nuk duhet domosdoshmërisht të ndërpritet, por gjatë orëve të nxehta rekomandohen ushtrime më të lehta, si ecja, joga, noti dhe ushtrimet e shtrirjes.
Më shumë kujdes duhet të tregojnë gratë me endometriozë, adenomiozë, anemi ose sindromën e vezoreve policistike, pasi vapa mund t’i bëjë më të theksuara dhimbjet, lodhjen, marramendjen dhe fryrjen.
Ndihmë mjekësore duhet kërkuar në rast të gjakderdhjes së pazakontë dhe shumë të bollshme, dhimbjeve të padurueshme, humbjes së vetëdijes ose dobësisë së theksuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


