Një drejtues automjeti është identifikuar dhe ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u raportua për tejkalim të kolonës në rrugën Prizren–Reçan.
Rasti ishte raportuar më 2 gusht përmes aplikacionit mobil të Policisë së Kosovës, ku qytetarët kishin dërguar informacion për një automjet që dyshohej se kishte kryer tejkalim të rrezikshëm në komunikacion, transmeton Klankosova.tv.
Pas verifikimeve të kryera, më 5 gusht 2026, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren ka identifikuar kundërvajtësin dhe ka shqiptuar masat për shkeljen e kryer.
Policia njofton se drejtuesi i automjetit është dënuar me 200 euro gjobë, i janë shqiptuar dy pikë negative, si dhe i është ndaluar e drejta e drejtimit të automjetit për një periudhë prej tre muajsh.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme dhe shpejtësinë e lartë, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve.


