Një shofer është identifikuar dhe ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi ishte raportuar nga qytetarët për tejkalim të kolonës në rrugën Prizren-Reqan.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, raportimi është bërë më 2 gusht 2026 përmes aplikacionit mobil, ndërsa pas verifikimeve, më 5 gusht është identifikuar kundërvajtësi.
“Qytetarët anë e mbanë Kosovës po vazhdojnë të raportojnë policinë për dyshime apo shkelje të mundshme të ligjit duke përfshirë edhe kundërvajtjet në komunikacion. Një njoftim të tillë policia nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka pranuar me datën 02.08.2026”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren i ka shqiptuar shoferit vendim për kundërvajtje, duke e gjobitur me 200 euro, dy pikë negative dhe duke ia ndaluar të drejtën e ngasjes për tri muaj.
Tutje, PK-ja ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme dhe shpejtësinë e lartë, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


