Një vajzë 12-vjeçare ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një përleshjeje mes dy burrave në Baltimore të SHBA-së.
Ngjarja ka ndodhur në një park ku po zhvilloheshin aktivitete të futbollit amerikan. Sipas policisë, dy burrat dyshohet se nisën të shtinin ndaj njëri-tjetrit pas një konflikti që besohet se kishte nisur për një vend parkimi.
Vajza u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por plagët rezultuan fatale.
Në incident u plagos edhe një grua, ndërsa dy burra u paraqitën në spitale të zonës me lëndime të dyshuara nga të shtënat, raporton BBC.
Policia është vënë në kërkim të të paktën dy personave të dyshuar për rastin.
Komisioneri i Policisë së Baltimore, Richard Worley, tha se 12-vjeçarja nuk ishte objektivi i sulmit. Sipas tij, hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes janë ende duke vazhduar.
Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, e cilësoi rastin si tragjik, duke thënë se një konflikt mes dy burrave përfundoi me vdekjen e një fëmije.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


