Sunday, October 4, 2026
spot_img
HomeLajmeRangnick pas barazimit me Kosovën: Fusha ishte e vështirë, por goli nuk...

Rangnick pas barazimit me Kosovën: Fusha ishte e vështirë, por goli nuk kishte lidhje me të

Ralf Rangnick është shprehur i kënaqur me barazimin 1-1 ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke pretenduar se kushtet e lojës ishin të vështira për Austrinë.

Ai iu referua edhe gjendjes së fushës në Prishtinë, për të cilën ishte diskutuar shumë para ndeshjes, duke thënë se skuadra e tij nuk mund të pritej të zhvillonte një lojë të bukur në këto kushte.

“Jemi të kënaqur me pikën. Kushtet ishin po aq të vështira saç i kishim pritur. Ishte e qartë paraprakisht se në këto kushte të fushës nuk do të fitonim ndonjë konkurs për lojën më të bukur. Sigurisht që është e vështirë të luash në një fushë të tillë”.

Megjithatë, përzgjedhësi i Austrisë pranoi se jo gjithçka mund t’i atribuohej gjendjes së fushës, veçanërisht te goli i pranuar nga Fisnik Asllani. Rangnick tha se aksioni i Edon Zhegrovës dhe mënyra se si u shënua goli nuk kishin lidhje me sipërfaqen e fushës.

“Goli që pranuam nuk kishte të bënte me sipërfaqen e fushës. Duhet të lëvizësh me kundërshtarin”, u shpreh ai.

Rangnick nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e ekipit, duke theksuar se Austria pati shumë pasime të pasakta, të cilat sipas tij nuk ishin vetëm pasojë e kushteve të fushës.

“Kishim shumë pasime të pasakta, të cilat nuk ishin vetëm për shkak të fushës. Por në fund dhamë gjithçka. I hodhëm në lojë gjashtë lojtarë ofensivë dhe u shpërblyem për përpjekjen tonë me golin e barazimit”.

Pas katër ndeshjeve, Austria vazhdon të jetë në krye të Grupit B3, ndërsa Rangnick theksoi rëndësinë që skuadra e tij të ketë përfunduar këtë seri ndeshjesh pa humbje.

“Tani është e rëndësishme që kemi dalë të pamposhtur nga kjo seri prej katër ndeshjesh. Tani mezi presim ndeshjet e nëntorit”, përfundoi Rangnick

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/      

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT