Është publikuar për herë të parë një video e Klaudio Kananit, shqiptarit nga Tepelena që i ka shpëtuar dënimit me vdekje në Kinë, pas një procesi gjyqësor për trafik droge.
Në videon e publikuar nga Top Channel, Kanani shihet duke iu drejtuar familjarëve të tij nga qendra e paraburgimit. Ai u thotë se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe u kërkon të mos shqetësohen për të.
“Mos u bëni merak, jam mirë me shëndet. Më ka marrë malli për ju. Unë këtu jam mirë, por normal, si në burg”, shprehet ai, duke shtuar se nuk ka probleme dhe se familjarët nuk duhet të shqetësohen.
Kanani tashmë pret që autoritetet shqiptare të nisin procedurat për transferimin e tij në Shqipëri, ku do të mund ta vuante pjesën e mbetur të dënimit.
Gjykata e Apelit në provincën Guangdong ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për dënim me vdekje dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, të dhënë në qershor të vitit 2025.
Sipas një zëdhënësi të gjykatës, vendimi i apelit i është komunikuar Kananit disa ditë më parë në qendrën e paraburgimit në Guangzhou.
Ai është dënuar me 25 vjet burg, pasi është shpallur fajtor për trafikimin e rreth një ton droge të nisur nga Hong Kongu.
Në të njëjtin proces gjyqësor, dy shtetas kinezë të bashkëakuzuar me Kananin janë dënuar me ekzekutim, ndërsa dy të tjerë kanë marrë dënimin me vdekje.
Rasti i Kananit ishte raportuar më herët nga Top Channel, ndërsa për shmangien e dënimit kapital ishin zhvilluar edhe përpjekje diplomatike nga autoritetet shqiptare.
Në këtë çështje ishin angazhuar ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Riza Poda.
Familja e Kananit ka falënderuar institucionet shqiptare për angazhimin e deritanishëm, por tani kërkon që të ndërmerren hapa të rinj për transferimin e tij në Shqipëri.
Familjarët u kanë bërë thirrje ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, që të nisin procedurat për transferimin e Kananit, duke u bazuar në marrëveshjen e reciprocitetit mes Shqipërisë dhe Kinës.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, familja shpreson që procesi i transferimit të avancojë dhe Kanani pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në Shqipëri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


