Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeTarifa prej 2 eurosh për hyrjen në qendër të Prishtinës – PDK...

Tarifa prej 2 eurosh për hyrjen në qendër të Prishtinës – PDK dhe LVV e kundërshtojnë

Propozimi për vendosjen e një tarife prej 2 eurosh për automjetet që hyjnë në zonën qendrore të Prishtinës ka nxitur debat në Kuvendin Komunal, ku përfaqësuesit e subjekteve politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit, Luftar Braha, e ka mbrojtur propozimin, duke thënë se masa të tilla janë të aplikueshme në qindra qytete në botë. Ai ka përmendur Ljubljanën dhe Tiranën si shembuj.

Sipas Brahës, qëllimi i tarifës është menaxhimi i hyrjes së automjeteve në zonën qendrore. Ai ka thënë se qytetarët mund të shfrytëzojnë parkingun te Pallati i Rinisë pa iu nënshtruar kësaj tarife.

Propozimi është kundërshtuar nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Asamblistja Nexhmije Gjema ka deklaruar se përcaktimi i zonës mund ta ngushtojë hapësirën e qarkullimit dhe të zhvendosë trafikun në rrugë alternative, duke ndikuar edhe në ndotjen e ajrit.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës është kërkuar që të shqyrtohen përjashtime për banorët e Prishtinës, në mënyrë që tarifa të mos aplikohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë ata që hyjnë në zonën e përcaktuar.

Sipas propozimit, zona e “lëvizjes së kufizuar” përfshin disa rrugë brenda unazës së brendshme, ndër to “Fehmi Lladrovci”, “Xhevë Lladrovci”, “Afrim Zhitia”, “Agim Ramadani”, “Ilir Konushevci”, “Hekurudha”, “Sami Plakolli”, “Zagrebi”, “Tirana”, “Jusuf Gërvalla” dhe “5 Maji”. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Kuvendi Komunal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT