Mediat në Shqipëri kanë publikuar të premten pamjet e rënda të vrasjes së Artan Myrtajt, i cili u ekzekutua mëngjesin e 20 shtatorit në Sarandë.
Në videon e publikuar shihet një person, i cili dyshohet se kishte ndjekur Myrtajn para se ta qëllonte. Autori nuk është identifikuar në pamje për shkak të helmetës që mbante në kokë.
Ai shihet teksa e qëllon disa herë Myrtajn dhe më pas e ndjek për disa metra, duke u siguruar për vdekjen e tij. Pak çaste më vonë, në vendin e ngjarjes mbërrin një motor, me të cilin autori largohet në drejtim të panjohur.
Sipas mediave në Shqipëri, hetuesit dyshojnë se vrasja mund të ketë lidhje me një konflikt të nisur vitin e kaluar, kur një person ishte plagosur dhe Myrtaj akuzohej për përkrahjen e autorit të dyshuar të asaj ngjarjeje.
Myrtaj ishte liruar nga burgu vetëm pak muaj para se të vritej.
Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


