Friday, September 25, 2026
spot_img
HomeLajmeRama: Joe Biden e tradhtoi Thaçin, SHBA-ja s’e bëri më të mirën...

Rama: Joe Biden e tradhtoi Thaçin, SHBA-ja s’e bëri më të mirën për të

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në një mbrëmje gala në New York, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-presidenti Joe Biden e tradhtuan atë në lidhje me Gjykatën Speciale.

Rama tha se i mungon Thaçi, i cili, sipas tij, ka qenë gjithmonë i ftuar në këto ngjarje.

“I kërkoj ndjesë gjithkujt që ndoshta do të ndihet i shpërfillur, por mund të them që gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot ishte të ulesha krah kumbarit shqiptar… Po vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar këtu, Hashim Thaçit. Ai nuk është me ne sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e quajti George Washingtoni i Kosovës, e tradhtoi. Sepse edhe pse gjenerali Clark bëri më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën”, ka thënë Rama në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.

Kryeministri shqiptar u shpreh i bindur se SHBA-ja mund të kishte bërë më shumë lidhur me çështjen e Thaçit.

“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi Rama, duke iu referuar Gjykatës Speciale.

Deklaratat e Ramës vijnë pak ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Trupi Gjykues e shpalli Hashim Thaçin fajtor për krime lufte dhe e dënoi me 25 vjet burgim. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi dhe bashkë të akuzuarit u shpallën fajtorë për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT