Saturday, June 20, 2026
spot_img
HomeLajmeSuplementi kundër dhimbjeve të nyjave mund të përshpejtojë Alzheimerin

Suplementi kundër dhimbjeve të nyjave mund të përshpejtojë Alzheimerin

Një suplement shumë i përdorur për lehtësimin e dhimbjeve të nyjave mund të lidhet me përparim më të shpejtë të sëmundjes së Alzheimerit, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Floridës, ka shkruar ScienceDaily.

Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Metabolism, ka zbuluar se personat me dëmtime të lehta të aftësive njohëse që merrnin glukozaminë kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë krahasuar me ata që nuk e përdornin këtë suplement.

Pas analizimit të të dhënave shëndetësore të mijëra pacientëve, studiuesit zbuluan se përdorimi i glukozaminës lidhej me rrezik 25 për qind më të lartë që personat me dëmtime të lehta të aftësive njohëse të kalonin në demencë.

“Aktualisht, rreth 7 milionë njerëz në SHBA jetojnë me Alzheimer dhe miliona të tjerë me forma të ndryshme të demencës. Shumë prej tyre përdorin suplemente pa recetë që mund të jenë duke ndikuar në përparimim më të madh të sëmundjes”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Ramon Sun.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk provojnë se glukozamina shkakton Alzheimer. Studimi tregon vetëm një lidhje dhe nevojiten prova klinike shtesë për të konfirmuar nëse suplementi luan vërtet rol në përshpejtimin e sëmundjes.

Për të kuptuar më mirë këtë lidhje, shkencëtarët analizuan edhe indet e trurit të njerëzve me Alzheimer dhe kryen eksperimente te minjtë laboratorikë. Ata zbuluan se glukozamina mund të ndikojë në një proces biologjik që shton molekula sheqeri në proteina, një mekanizëm që duket se është tepër aktiv në trurin e personave me Alzheimer.

“Rezultatet tona sugjerojnë se çrregullimet metabolike luajnë rol të rëndësishëm në përparimin e Alzheimerit dhe se korrigjimi i këtyre problemeve mund të plotësojë trajtimet ekzistuese”, ka thënë Sun.

Eksperimentet te minjtë treguan gjithashtu se glukozamina përkeqësoi problemet e kujtesës sociale, ndërsa ulja e aktivitetit të këtij procesi biologjik përmirësoi performancën e kujtesës.

“Ne zbuluam se sistemi që shton këto struktura sheqeri në proteina duket se është tepër aktiv në trurin e personave me Alzheimer. Kjo mund të kontribuojë në sëmundje në vend që ta mbrojë trurin”, ka thënë bashkautori i studimit, doktori Matt Gentry.

Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme, por gjetjet ngrenë pyetje të rëndësishme për sigurinë e përdorimit të glukozaminës te personat që kanë Alzheimer ose janë në rrezik për ta zhvilluar atë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT