Vushtrria e ka fituar ndeshjen e parë të xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë, Vushtrria e mposhti Prishtinën me rezultatin e ngushtë, 38:37. Madje golin e fitores vushtrriasit e shënuan gjashtë sekonda para fundit. Erkan Abazxhiku shënoi për fitoren e rëndësishme.
Federata e Hendbollit të Kosovës bën të ditur se dundi ishte dramatik.
“Minuti i fundit nisi me rezultatin 36:36. Enis Kuleta më pas shënoi për epërsinë 37:36 të Prishtinës. Rezultatin në 37:37 e barazoi Egzon Ademi nga penalltia. Dhe më pas Abazxhiku e shënoi golin e fitores, 38:37”.
“Deri në minutën e 18-të, Vushtrria vazhdimisht kishte një gol epërsi e më pas Prishtina barazonte. Më pas Prishtina ishte në epërsi, që shkoi deri në pesë gola. Prishtinasit epërsinë e mbajtën vazhdimisht deri në minutën e 59-të, kur Valon Mejzini shënoi për 36:36”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, shtohet se Abazxhiku e Ademi i shënuan nga dhjetë gola për Vushtrrinë, ndërsa Armend Karaça e Amir Fazliu i kishin nga gjashtë.
Oltion Beshiri i kishte nëntë gola për Prishtinën. Shtatë i shënoi Enis Kuleta, ndërsa Ylli Visoka e Erion Bajramaj i realizuan nga gjashtë.
Prishtina mbetet e katërta me 17 pikë. Vushtrria është e pesta, tani me 12 pikë.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


