Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar në lidhje me sulmin ndaj një zyrtari të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars 2026 në Rrugën B në Prishtinë.
Sipas njoftimit, të dyshuarit me inicialet A.D. dhe L.D. janë paraqitur në Policinë e Kosovës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit A.D. dhe L.D. janë ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Kanosja’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria bëri të ditur se nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani janë siguruar prova që mbështesin dyshimin e bazuar lidhur me këtë rast.
“Në bazë të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar, rezulton se rasti ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2026 në Prishtinë, ku i dëmtuar është një zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK)”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Prokurorisë, lidhur me këtë rast janë zhvilluar veprime intensive hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Prokurori i Shtetit është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale, në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje”, përfundon njoftimi.
Kjo është gjendja e inspektorit të IPK-së i cili u plagos sonte në Prishtinë
I dyshuari për plagosjen e zyrtarit të IPK-së, ende në kërkim


