Pesë persona janë vrarë dhe 19 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dron rus në një treg në qytetin ukrainas të Nikopolit, në vijën e frontit, mëngjesin e së shtunës, njoftoi zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës.
Ndërkohë, në Kharkiv një grua është vrarë dhe disa persona të tjerë janë plagosur rëndë nga sulmet ruse, të cilat kryebashkiaku i përshkroi si “një nga më të mëdhatë” që ka përjetuar qyteti deri më tani.
Sipas raportimeve, sulmet masive gjatë ditës, të cilat dikur ishin të rralla, janë shtuar ndjeshëm. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën se ka zgjedhur “përshkallëzimin e Pashkëve” në vend të një armëpushimi, pas një tjetër vale sulmesh me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë ngecur, pasi presidenti amerikan Donald Trump dhe ekipi i tij kanë zhvendosur fokusin drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Zelensky është pajtuar me një vlerësim të inteligjencës britanike se situata në vijën e frontit në lindje është “më e favorshmja” për Ukrainën në 10 muajt e fundit, pasi përparimi i trupave ruse duket se është ngadalësuar, ndonëse sulmet ajrore nuk janë ndalur.
Zelensky i ka cilësuar sulmet si përgjigje të Rusisë ndaj propozimit të tij për një armëpushim të përkohshëm për festën e Pashkëve ortodokse fundjavën e ardhshme.
“Rusët vetëm sa i kanë intensifikuar sulmet e tyre, duke e shndërruar atë që duhej të kishte qenë heshtje në qiell në një përshkallëzim të Pashkëve”, shkroi ai në X.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


