Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë, teksa ka theksuar se nesër bëhen tri vjet nga ngjarja ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nga New Yorku, Konjufca ka deklaruar se personat që kryen sulmin vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.
Sipas tij, rasti i Banjskës tregon nevojën për llogaridhënie, të cilën e konsideron të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Konjufca ka përmendur edhe sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc në vitin 2024, duke thënë se ky kanal është i rëndësishëm për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Ai ka theksuar se mbrojtja e infrastrukturës kritike nga sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride duhet të jetë pjesë e sigurisë rajonale.
“Banjska dhe Ibër-Lepenci nuk janë kërcënime abstrakte për Kosovën. Ne i kemi përjetuar drejtpërdrejt këto sulme dhe, pikërisht për këtë arsye, jemi të gatshëm të japim kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj sulmeve të tilla”, thuhet në komunikatën për media.
Konjufca ka thënë se Kosova është përballur me të dyja këto raste dhe, sipas tij, ka dalë fitimtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


