Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij pas konfirmimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Hargreaves ka thënë se formimi i Qeverisë së re është një hap i rëndësishëm pas periudhës së gjatë të bllokadës politike.
“Pas ngërçit të zgjatur politik, ky është një hap i rëndësishëm drejt institucioneve stabile dhe efektive që mund të ofrojnë rezultate për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ambasadori britanik ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Kosovës gjatë muajve të ardhshëm.
Në reagimin e tij, Hargreaves u ka bërë thirrje partive politike që të tregojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit para 6 tetorit.
“Shpresoj që të gjitha partitë politike tani të tregojnë frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi duke punuar së bashku për të zgjedhur një president para 6 tetorit”, ka thënë ai.
Sipas Hargreaves, një bashkëpunim i tillë do ta ndihmonte Kosovën të ecë përpara me reformat, mundësitë dhe sfidat që e presin.
Ai ka ritheksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e palëkundur e Kosovës, me fokus në demokraci, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, siguri rajonale dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


