Thursday, August 6, 2026
spot_img
HomeLajmeStudimi: Ky suplement i zakonshëm mund ta ndihmojë trupin të luftojë kancerin

Studimi: Ky suplement i zakonshëm mund ta ndihmojë trupin të luftojë kancerin

Një aminoacid i zakonshëm, i njohur si arginina, që gjendet në ushqime të pasura me proteina dhe në shumë suplemente ushqimore, mund të luajë një rol shumë më të madh në luftën kundër kancerit dhe infeksioneve virale sesa mendohej deri më tani. Kjo është bërë e ditur nga një studim i ri i kryer nga Rockefeller University.

Sipas studiuesve, nivelet e ulëta të argininës pengojnë qelizat të prodhojnë një proteinë kyçe të quajtur MHC-1, e cila i ndihmon qelizat e sistemit imunitar të identifikojnë dhe të shkatërrojnë qelizat kancerogjene dhe viruset. Kur kjo proteinë prodhohet në sasi të pamjaftueshme, kanceri dhe viruset mund t’i shmangen më lehtë mbrojtjes së organizmit.

Drejtuesi i studimit, Sohail Tavazoie, tha se nivelet e argininës janë shpesh të ulëta te pacientët me kancer, ndërsa edhe viruset i ulin ato në indet që infektojnë. Ai shtoi se arginina zvogëlohet natyrshëm edhe me kalimin e moshës.

Në studim u vu re se shtimi i argininës në dietë ndihmoi në kompensimin e kësaj mungese, duke përmirësuar reagimin e sistemit imunitar dhe duke ulur ashpërsinë e gripit dhe COVID-19 në modelet eksperimentale me minj. Efekti pozitiv u vu re edhe kur arginina u administrua 24 orë pas infektimit.

Doza e përdorur në studim ishte e barasvlershme me rreth 10 gramë argininë në ditë, afërsisht sa përmbajnë disa tableta të zakonshme që shiten pa recetë.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten studime klinike te njerëzit për të konfirmuar nëse suplementet me argininë kanë të njëjtin efekt në trajtimin ose parandalimin e kancerit dhe infeksioneve virale. Deri atëherë, rezultatet konsiderohen premtuese, por jo dëshmi se arginina mund të shërojë kancerin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT