A ekziston vërtet një injeksion që i bën fëmijët të flasin?
Kjo është ajo që u është premtuar dhjetëra prindërve në Kosovë, të cilët, të dëshpëruar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre, kanë pranuar t’u japin një medikament të quajtur Cortexin.
Hulumtimi i Kiks Kosovës zbulon se shumica e prindërve këtë terapi e kanë marrë me rekomandim nga i njëjti mjek, Armend Vuciterna. Për disa, nuk pati asnjë efekt. Për të tjerë, la pasoja: frikë, traumë dhe zhgënjim.
Madje, disa nëna e quajnë hapur, “eksperiment me fëmijë”.
Për të verifikuar këto pretendime, ekipi i Kiksit u kamuflua si familjarë të një fëmije dhe arriti të futet në ordinancën e mjekut. Aty u konfirmua se Cortexin është rekomanduar si trajtim, ndonëse vetë doktori pretendon se tashmë përdor një terapi tjetër “më efektive”.
I ballafaquar më pas nga gazetarët, ai fillimisht refuzoi të flasë. Por më vonë, në një deklaratë telefonike, mohoi se ua ka shitur medikamentin prindërve, duke thënë se vetëm e ka përshkruar pavarësisht faktit nëse është i licencuar apo jo në Kosovë.
Në anën tjetër, ekspertët hedhin poshtë këto pretendime.
Psikiatrja Arbnore Ulaj nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës thotë qartë: nuk ekziston ilaç që shëron të folurin.
Sipas saj dhe logopedes Elona Ismajli, trajtimi i këtyre problemeve bëhet vetëm përmes terapisë profesionale dhe punës afatgjatë jo me injeksione apo “zgjidhje të shpejta”.


