Një skandal i madh ka tronditur opinionin publik në Serbi, pasi ish-shefi i Policisë së Beogradit dhe ish-këshilltari i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Veselin Miliq, është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në fshehjen e një vrasjeje të rëndë dhe manipulim të provave.
Gjykata në Beograd i ka caktuar Miliqit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa hetimet lidhen me zhdukjen dhe vrasjen e Aleksandar Neshoviqit, i njohur në qarqet kriminale me nofkën “Baja”.
Sipas mediave serbe, Neshoviqi dyshohet se u vra me armë zjarri nga Sasha Vukoviq Boske gjatë një takimi në një restorant ku ishte i pranishëm edhe vetë Miliq. Raportohet se ish-zyrtari policor kishte tentuar më herët të ndërmjetësonte mes dy personave, të cilët kishin pasur konflikte të mëparshme.
Pas krimit, dy policë nga sigurimi i Miliqit, në bashkëpunim me të dyshuarin kryesor, thuhet se e larguan trupin e viktimës nga restoranti dhe më pas e dogjën pranë autostradës afër Shimanovcit.
Ndërkohë, sipas hetimeve, Miliq dhe një tjetër pjesëtar i policisë kanë qëndruar në restorant për të zhdukur gjurmët e krimit dhe për të fshirë pamjet e kamerave të sigurisë.
Deri tani, në lidhje me këtë rast janë arrestuar nëntë persona, përfshirë tre zyrtarë policorë. Skandali ka nxitur reagime të forta politike në Serbi, ku opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq, si dhe drejtuesve të lartë të policisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


