Saturday, September 5, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Festim Ramadani që dyshohet se kanosi zyrtarët në Burgun e...

Ekskluzive | Festim Ramadani që dyshohet se kanosi zyrtarët në Burgun e Sigurisë së Lartë, është ish-polici që akuzohet se vrau burrin e tezes në Bibaj

Një nga të paraburgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, i cili të premten dyshohet se sulmoi dhe kërcënoi me vdekje dy zyrtarë korrektues, është Festim Ramadani, 39-vjeçar, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Ramadani ndodhet në paraburgim nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa tashmë dyshohet se është përfshirë edhe në një incident të rëndë brenda institucionit korrektues.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për të njëjtin person që dyshohet se në Bibaj të Ferizajt vrau me armë zjarri Sadri Sadriun, i cili ishte burri i tezes së tij.

Në kohën e vrasjes, Ramadani ishte zyrtar policor, por dyshohet se krimin e kreu jashtë detyrës zyrtare. Pas ngjarjes, ai ishte dorëzuar në Polici dhe ndaj tij kishte nisur procedura për vrasjen.

Ndërkohë, më 4 shtator, brenda Burgut të Sigurisë së Lartë, Ramadani dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë korrektues, D.N. dhe A.R., si dhe i ka kërcënuar me vdekje.

Sipas burimeve të Sinjalit, incidenti ka ndodhur rreth orës 08:10 deri në 08:45, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 11:45.

Gjatë përleshjes, Ramadani dyshohet se u është drejtuar zyrtarëve me kërcënime serioze, duke u thënë: “Blini ka ni qefin se kom me ju vra”, si dhe “Kemi me ju vra krejtve.”

Për ta neutralizuar situatën, ndaj tij është përdorur sprej OC. Dy zyrtarët korrektues kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa trajtim ka marrë edhe Ramadani pas përdorimit të sprejit.

Në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë dalë hetuesit policorë, ndërsa rastin po e trajtojnë edhe Hetimet Rajonale.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Dy zyrtarët korrektues janë intervistuar, ndërsa Ramadani pritet të merret në pyetje në ditët në vijim.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT