Saturday, September 5, 2026
spot_img
HomeLajmeKina po rrit flotën, SHBA-ja po humb anije

Kina po rrit flotën, SHBA-ja po humb anije

SHBA shqetësohet për rritjen e shpejtë të marinës kineze, ndërsa numri i anijeve të flotës amerikane po bie. Sipas të dhënave të Pentagonit, Kina pritet të ketë mbi 400 luftanije këtë vit, ndërsa Marina amerikane aktualisht ka 296 anije.

Për këtë situatë ka folur për Zërin e Amerikës George Whittier, president i kompanisë Fairbanks Morse Defense, një prej furnizuesve kryesorë të marinës amerikane. Ai tha se 90% e biznesit të kompanisë është i lidhur me Marinën amerikane ose Rojën Detare.

Sipas Whittier, vitin e kaluar u financua ndërtimi i vetëm gjashtë anijeve të reja, ndërsa 15 anije të vjetra u nxorën nga funksioni. Planet për vitin 2025 fillimisht parashikonin 10 anije të reja, por numri u ul në gjashtë, ndërsa parashihej nxjerrja nga funksioni e 19 anijeve të vjetra.

“Pra, kjo do të thotë 13 anije më pak për flotën amerikane”, tha Whittier për Zërin e Amerikës.

Ai paralajmëroi gjithashtu për problemet në zinxhirin e furnizimit, duke thënë se mijëra furnizues janë detyruar të mbyllin bizneset. Sipas tij, rreth 350 furnizues kritikë të industrisë së nëndetëseve do të ishin të vështirë për t’u zëvendësuar nëse mbyllen.

Edhe admirali Jim Kilby tha se SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh një marinë më të madhe, por mungesa e buxhetit ka penguar zëvendësimin dhe rritjen e numrit të anijeve.

Përballë kësaj situate, Presidenti Donald Trump ka shpallur hapjen e një zyre të re në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të fokusohet në ndërtimin e anijeve.

Ndërkohë, gjendja e flotës tregtare amerikane është edhe më e rëndë. Senatori Mark Kelly tha për Zërin e Amerikës se SHBA-ja ka kaluar nga rreth 10 mijë anije gjatë Luftës së Dytë Botërore në vetëm 85 sot.

SHBA-ja ndërton rreth pesë anije tregtare në vit, ndërsa Kina më shumë se 1 mijë.

Kelly ka propozuar gjithashtu Aktin e Anijeve për Amerikën, i cili synon që brenda 10 vitesh flotës amerikane t’i shtohen 250 anije komerciale.

Plani i fundit i Marinës amerikane synon që deri në vitin 2040 flota të arrijë në 380 anije. Megjithatë, ky numër do të mbetet dukshëm më i ulët se numri i anijeve të marinës kineze që pritet të ketë Kina.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT