Shqipëria ka refuzuar kërkesën e Rusisë për largimin e diplomatëve dhe qytetarëve të huaj nga Kievi, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se kërcënimet ndaj ambasadave nuk përbëjnë diplomaci, por intimidim, duke theksuar se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën.
Sipas tij, ky qëndrim i është përcjellë edhe ambasadorit rus në Tiranë, Alexey Zaitsev, ndërsa Tirana zyrtare ka bërë thirrje për përfundimin e luftës përmes negociatave dhe jo përmes sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar më herët kërkesën e Rusisë për tërheqjen e diplomatëve nga kryeqyteti ukrainas.
Kujtojmë se më 24 maj, Rusia kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj Kievit, ku u godit edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


