Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimeve të fuqishme në një strukturë ushtarake në Bolivi, ku ruheshin fishekzjarrë, granata dhe lëndë shpërthyese të konfiskuara.
Shpërthimet ndodhën të premten pasdite në qytetin Viacha, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit administrativ, La Paz.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ekipet e shpëtimit kanë gjetur edhe tre trupa nën rrënoja, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave. Mes të vdekurve janë edhe tre ushtarë.
Sipas autoriteteve, 84 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa 11 të tjerë konsiderohen ende të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa ekspertët po kontrollojnë materialet dhe strukturat e dëmtuara nga shpërthimet.
Ministri bolivian i Mbrojtjes, Ernesto Justiniano, deklaroi se brenda objektit ka ende zona që duhet të inspektohen nga ekipet e specializuara.
Shkaqet e shpërthimeve nuk janë bërë ende të ditura dhe autoritetet po vijojnë hetimet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


