Detaje të reja janë siguruar nga Sinjali lidhur me incidentin e djeshëm, ku kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, dyshohet se është sulmuar fizikisht nga dy persona derisa ndodhej së bashku me familjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, në parkingun e Prishtina Mall, ndërsa në momentin e incidentit me Ahmetin ndodheshin edhe bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se njëri prej personave të dyshuar për sulmin është Adonis Aliu, i cili pas incidentit është shoqëruar në Polici për procedura të mëtejshme.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në sulm dyshohet se ka marrë pjesë edhe një person tjetër, ndërsa të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku janë ndërmarrë veprimet e para hetimore lidhur me rastin.
Sinjali ka raportuar se dy të dyshuarit janë djemtë e zyrtarit policor Reshat Aliu.
Rasti ka marrë një tjetër drejtim pas shoqërimit të tyre në Polici. Sipas burimeve të Sinjalit, Reshat Aliu dyshohet se ka shkuar në Stacionin Policor në Graçanicë i uniformuar dhe i armatosur, ku dyshohet se ka ndërhyrë në punën e zyrtarëve policorë që po merreshin me rastin e djemve të tij.
Për shkak të këtyre veprimeve, edhe Reshat Aliu është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Në trajtimin e rastit është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të incidentit dhe përgjegjësinë eventuale të secilit prej personave të përfshirë.
Motivi që çoi deri te sulmi i dyshuar ndaj kapitenit Ahmeti nuk është bërë i ditur deri më tani.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


