Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të mbahet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, të cilin Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Seanca është planifikuar të nisë në orën 09:30, ndërsa Sheholli pritet të dalë para trupit gjykues dhe të deklarohet lidhur me fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas aktakuzës së ngritur më 25 gusht 2026, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA dhe se, duke vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarëve të këtij shërbimi, kishte mbledhur e përcjellë informacione lidhur me zhvillimet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Prokuroria pretendon se Sheholli kishte kontakte me zyrtarin e lartë të BIA-s, Bojan Dimiq, si dhe se kishte marrë materiale që synonin komprometimin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.
Në pikën tjetër të aktakuzës, Sheholli ngarkohet për shantazh. Sipas Prokurorisë, nga viti 2022 deri më 2025, ai dyshohet se e kishte shantazhuar një biznesmen, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej mbi 13 mijë eurosh. Pretendohet se paratë i ishin kërkuar nën kërcënimin e publikimit të video-incizimeve dhe informacioneve që mund t’ia dëmtonin reputacionin.
Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025 dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


