Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.
Kjo temë goxha e rëndësishme u diskutua me ish-nënkryetarin e OVL- UÇK-së Nasim Haradinaj.
Haradinaj deklaroi se këto shkelje kanë ndodhur haptas.
“Provat nga Serbia ne veç i kemi deklaruar ende pa u burgosur. Ne e kemi deklaruar edhe pa u bërë burgosja e parë qoftë edhe e Salih Mustafës, sepse janë dokumentet që rrjedhën ashtu si rrjedhën dhe ranë në duart tona. Dhe pata guximin që t’i qes ato”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Haradinaj u shpreh se Specialja me burgosjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve do të mund t’i fshehte ato.


