Inspektimet ndaj subjekteve afariste që shesin cigare elektronike pranë shkollave janë intensifikuar me fillimin e vitit të ri shkollor.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara të mërkurën në disa qytete të Kosovës, janë kryer gjithsej 18 inspektime, ndërsa janë shqiptuar tri gjoba dhe janë sekuestruar produkte në dy raste.
Kontrollet janë zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë, me fokus në parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit.
Në kuadër të inspektimeve, në disa pika të shitjes është kërkuar edhe largimi i menjëhershëm i cigareve elektronike nga shitja, veçanërisht në subjektet që ndodhen pranë institucioneve arsimore.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), i cili ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në rajone të ndryshme të Kosovës.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe prindërve që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë shkollave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


