Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Arben Spasollit, i cili dyshohet për vrasjen e Erduan Ibrahimit dhe plagosjen e vëllait të tij, Shaban Ibrahimi, raporton Gazeta Sinjali.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar për Sinjalin se masa e paraburgimit ndaj Arben Spasollit është vazhduar deri më 25 tetor 2026.
Sipas aktvendimit të Gjykatës, masa e paraburgimit i llogaritet nga 25 gushti deri më 25 tetor 2026.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për rastin dhe kishte zbuluar se personi i arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale është Arben Spasolli.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 27 maj 2026 në rrugën “Adem Voca”, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.
Arben Spasolli dyshohet se i kishte sulmuar me thikë vëllezërit Erduan dhe Shaban Ibrahimi. Erduan Ibrahimi kishte pësuar plagë të rënda në fyt dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk kishte arritur të mbijetonte.
Vëllai i tij, Shaban Ibrahimi, kishte mbetur i plagosur dhe ishte transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e tij ishte raportuar jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes kishin intervenuar hetuesit rajonalë dhe ekipet e kriminalistikës, ndërsa ishte sekuestruar edhe thika që dyshohet se ishte përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Rasti është duke u hetuar si “Vrasje e rëndë”.
Shënim: Arben Spasolli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.


