Një konflikt familjar për çështje pronësore ka eskaluar në përleshje fizike mes dy vëllezërve në Mitrovicë, ndërsa gruaja e njërit prej tyre ka përfunduar e lënduar në spital pasi tentoi t’i ndajë, mëson Sinjali nga burimet.
Ngjarja ka ndodhur më 9 maj 2026 rreth orës 13:45 në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicën e Jugut.
Sipas informatave, Policia kishte pranuar njoftim për një mosmarrëveshje familjare dhe njësitë policore kishin intervenuar menjëherë në lokacion.
Burimet bëjnë të ditur se dy vëllezër, Z. L (1993) dhe M. L (1991), dyshohet se u përfshinë në rrahje fizike mes vete për shkak të një konflikti pronësor.
Sinjali mëson se gjatë përleshjes kishte ndërhyrë edhe H. L(1988), bashkëshortja e njërit prej tyre, e cila dyshohet se pësoi lëndime trupore teksa tentonte t’i ndante.
Ajo ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Sipas burimeve, të përfshirët jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Me konsultim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si:
- “Dhunë në familje”
- dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Dy vëllezërit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


