Gjykata e Apelit në Bolonjë ka ulur nga 17 në 15 vjet burg dënimin ndaj të riut, i cili ishte 15 vjeç në kohën e ngjarjes dhe u dënua për vdekjen e 13-vjeçares Aurora Tila.
Aurora humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u rrëzua nga një ballkon. Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në Itali, ndërsa familja e 13-vjeçares ka shprehur zhgënjimin e saj për vendimin e gjykatës.
Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e viktimës, tha se familja është veçanërisht e zhgënjyer nga kërkesa për uljen e dënimit.
“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re e femicidit në Evropë”, deklaroi ai.
Edhe nëna e vajzës, Morena Corbellini, reagoi ashpër ndaj vendimit, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen raste të tilla.
“Presim atëherë që numri i femicideve të ulet? Ato vetëm do të rriten”, deklaroi Corbellini.
Ajo shtoi se, sipas saj, dënimet në raste të tilla po jepen shumë lehtë dhe paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet nëse nuk merren masa më të forta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


