Një ndërtesë dykatëshe është shembur të enjten pasdite në lagjen Pistunina të Mesinës, në Itali, duke lënë shtatë persona të zhdukur dhe tre të tjerë të plagosur.
Ekipet e shpëtimit kanë nisur kërkimet nën rrënoja për gjetjen e personave të zhdukur, ndërsa në operacion janë angazhuar forca të shumta të zjarrfikësve, përfshirë ekipet USAR për shpëtim nga rrënojat, qen kërkimi, dronë dhe shpëtimtarë malorë.
Sipas informacioneve fillestare, shkaku i shembjes nuk lidhet me shpërthimin e bombolave të gazit, por dyshohet se ka ardhur si pasojë e problemeve strukturore në ndërtesë, raportojnë mediat italiane.
Ndërtesa e shembur, me sipërfaqe rreth 2,500 metra katrorë, ishte ndërtuar në vitet 1980. Në pjesën e poshtme të saj ndodheshin një supermarket dhe një dyqan, ndërsa në katet e sipërme ishin katër apartamente me tarraca.
Sipas autoriteteve, në katin përdhes të ndërtesës po kryheshin punime mirëmbajtjeje në kohën e shembjes. Prokurori i Mesinës, Antonio D’Amato, ka vizituar vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar nisjen e një hetimi për të përcaktuar shkaqet dhe të gjitha rrethanat e incidentit.
Tre personat e plagosur janë dërguar për trajtim në spitalin e përgjithshëm të Mesinës. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, një tjetër ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa i treti është në gjendje të qëndrueshme.
Kryetari i Bashkisë së Mesinës, Federico Basile, ka aktivizuar qendrën operative të qytetit për koordinimin e operacioneve të shpëtimit dhe ndihmës për familjet e prekura.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shërbimet përkatëse”, tha Basile, duke shtuar se qyteti do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të prekurit përmes qendrës së operacioneve dhe shërbimeve sociale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


