Thursday, July 30, 2026
spot_img
HomeLajmeSHBA mohon pretendimet e Iranit: Asnjë avion amerikan nuk u shkatërrua

SHBA mohon pretendimet e Iranit: Asnjë avion amerikan nuk u shkatërrua

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka reaguar ndaj raportimeve të mediave shtetërore iraniane, duke i cilësuar si të rreme pretendimet e Gardës Revolucionare të Iranit lidhur me zhvillimet e fundit në rajon.

Përmes një njoftimi në platformën “X”, CENTCOM tha se deklaratat e palës iraniane nuk përputhen me situatën në terren.

Sipas autoriteteve iraniane, lundrimi i anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit paraqet rrezik. Mirëpo, Komanda amerikane deklaroi se kërcënimi i vërtetë vjen nga paralajmërimet dhe përpjekjet e Gardës Revolucionare për të kryer sulme.

CENTCOM mohoi gjithashtu pretendimet se gjatë një sulmi ishin goditur dhe shkatërruar tre avionë luftarakë F-35 dhe tre avionë të tjerë amerikanë.

“Asnjë avion amerikan nuk është shkatërruar apo dëmtuar. Raketat dhe dronët iranianë janë kapur ose nuk kanë arritur t’i godasin objektivat e tyre”, thuhet në reagim.

Komanda amerikane hodhi poshtë edhe raportimin se cisterna e naftës “M/T Nora” kishte arritur ta thyente bllokadën amerikane, duke deklaruar se anija nuk i kishte kaluar masat e vendosura.

Sipas CENTCOM-it, mbi 20 anije luftarake, qindra avionë dhe mijëra pjesëtarë amerikanë mbeten në gatishmëri për ta monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit.

“Forcat tona do të vazhdojnë ta monitorojnë situatën dhe të zbatojnë masat për mbrojtjen e lundrimit dhe të interesave të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit, pas shkëmbimit të sulmeve dhe paralajmërimeve të ndërsjella mes palëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT