Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të konkursit për pranimin e 400 pjesëtarëve të rinj në Shërbimin e Zjarrfikësve në Serbi.
Sipas saj, nga Komuna e Preshevës janë pranuar dy zjarrfikës, ndërsa nga Komuna e Bujanocit tre, por asnjëri prej tyre nuk është shqiptar.
“Ky është konkursi i disatë me radhë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, në të cilin kandidatët shqiptarë shpërfillen plotësisht”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka vlerësuar se një praktikë e tillë përbën shkelje të të drejtave të pakicave dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sipas Sinanit, situata është vazhdimësi e konkurseve të mëparshme për punësim në Policinë e Serbisë dhe në institucione të tjera shtetërore, ku përfaqësimi i shqiptarëve mbetet shumë i ulët.
“Punësimi dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është një çështje e harruar nga Serbia”, ka deklaruar ajo.
Sinani ka theksuar se situata është veçanërisht shqetësuese, pasi Presheva dhe Bujanoci janë komuna me shumicë shqiptare, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuar në institucionet shtetërore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


