Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pritur gjatë për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen që e kundërshton në Kuvend.
PDK-ja ka njoftuar se të hënën, nga ora 09:00, do t’i drejtohet zyrtarisht Kushtetueses, ku para objektit të gjykatës do të mbajë edhe konferencë për media.
Në konferencë do të jenë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
Kjo lëvizje vjen pasi PDK-ja tërhoqi kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, ndërsa zyrtarët e partisë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë interpretim nga Kushtetuesja lidhur me zhvillimet në Kuvend.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme u votuan tre nënkryetarë të Kuvendit: Kujtim Shala nga LDK-ja, Emilja Rexhepi nga komunitetet joshumicë dhe Tanja Vujoviq nga komuniteti serb, e cila vjen nga Lista Serbe.
Pas këtyre votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e konsideroi Kuvendin të konstituuar, ndërsa PDK-ja nuk mori pjesë në votimin për nënkryetarët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


