Opinionisti Azdren Shala ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN dhe rolit të tij në përfaqësimin e shqiptarëv, duke akuzuar këtë subjekt politik për mungesë të qëndrimeve kombëtare në Maqedoninë e Veriut.
Në emisionin ‘Kosova Today’ në Klan Kosova, Shala tha se mungesa e himnit kombëtar në një aktivitet të fundit përbën argument shtesë se VLEN-i ka abstenuar nga përfaqësimi i interesave shqiptare, transmeton Klankosova.tv.
“Mungesa e himnit kombëtar aty, është një argument shtesë që VLEN-i ka abstenuar për të përfaqësuar interesin e shqiptarëve. Është një parti aty që nominalisht është shqiptarë me emra, por e luajnë lojën dhe interesant e sllavëve në krye me Mickoskin”, tha ai në emisionin “Kosova Today”.
Ai nuk i kurseu kritikat as ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e akuzoi për standarde të dyfishta dhe hipokrizi politike në raport me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut.
“E kumbara që e ka lidh këtë koalicion, tashmë e shndërruar në parti, Albin Kurti, tash po na shfaq hipokrizi dhe standard të dyfishtë, sepse është thirrur në emër të shqiptarëve, ndërkohë partia që është bërë nuk po performon kurrgjë shqiptare”, tha Shala.


