Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se lufta me Rusinë pritet të vazhdojë edhe gjatë dimrit, pas bisedimeve në Kiev me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump.
Bisedimet mes Zelenskyt dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff e Jared Kushner zgjatën disa orë, por nuk u shoqëruan me ndonjë njoftim për një përparim të madh drejt përfundimit të luftës.
Witkoff dhe Kushner vizituan Ukrainën për herë të parë që nga nisja e pushtimit të plotë rus. Një ditë më parë, ata kishin zhvilluar bisedime në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.
Pas takimit në Kiev, Witkoff tha se ishte “i inkurajuar” nga bisedimet, të cilat i cilësoi si të rëndësishme dhe përmbajtësore, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Zelensky tha se Ukraina kërkon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila nuk do t’i japë Rusisë mundësi për të nisur përsëri agresionin.
Ai bëri të ditur se Ukraina, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë së shpejti një tjetër takim për të vazhduar diskutimet. Po ashtu, presidenti ukrainas përsëriti kërkesën për një takim trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.
“Jemi të bindur se do të ketë një zgjidhje të mirë”, tha Witkoff, duke shtuar se gjatë bisedimeve në Moskë ishte bërë “shumë përparim”.
Kushner tha se ekipi amerikan kishte shqyrtuar propozimet që deri tani nuk kishin funksionuar dhe ishte përpjekur të përcaktonte se cilat elemente nevojiten për një paqe të qëndrueshme.
Sipas tij, biseda me Putinin ishte “shumë e mirë”, ndërsa të dyja palët kishin bërë pyetje të shumta.
Witkoff tha se takimi me presidentin rus ishte zhvilluar para udhëtimit në Kiev, pasi amerikanët, sipas tij, “duhej të dëgjonin se ku qëndronte” Putini.
Ndërkohë, Zelensky paralajmëroi se nëse lufta vazhdon gjatë dimrit, siç tha se duket aktualisht, Ukraina do të ketë nevojë për mbështetje të shtuar në mbrojtjen ajrore dhe sektorin energjetik.
Ukraina është mbështetur në sistemet amerikane Patriot për të luftuar kundër raketave balistike ruse. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur një pjesë të konsiderueshme të rezervave të tyre gjatë luftës me Iranin.
Gjatë dimrave të kaluar, Rusia ka goditur vazhdimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar probleme me furnizimin me energji dhe ngrohje.
Zelensky tha se Ukraina duhet të zhvillojë sistemin e saj për mbrojtje kundër raketave balistike. Megjithatë, ai shtoi se SHBA-ja pritet të rrisë prodhimin e sistemeve të tilla gjatë vitit të ardhshëm, një zhvillim tek i cili Kievi po llogarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


