Një i mitur ka vdekur mbrëmjen e së dielës në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, pasi është gjetur i shtrirë me plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Sipas tij, Policia është njoftuar rreth orës 20:35 se në vendbanimin e tij në Bellacerkë ishte gjetur një i mitur i shtrirë dhe me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri është dërguar për trajtim mjekësor. Megjithatë, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se mund të jetë e ndërlidhur me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te vdekja e të miturit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


